Ministri Salla: Fermerët do të përdorin prodhimin bujqësor si kolateral për financim
Projektligji i ri synon t'u lehtësojë fermerëve aksesin në financim duke përdorur prodhimin bujqësor si garanci.
Fermerët shqiptarë pritet të kenë mundësinë të përdorin produktet bujqësore, si ato ende në proces prodhimi ashtu edhe ato të magazinuara, si kolateral për të siguruar financim. Kjo parashikohet në projektligjin “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”, i prezantuar në Kuvend nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla. Sipas ministrit, nisma krijon një instrument të ri financiar që synon të lehtësojë aksesin e fermerëve në financim gjatë fazave të prodhimit, kur kostot për fara, fidanë, plehra kimike, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe punimet e tokës janë më të larta, ndërsa të ardhurat nga shitja e prodhimit ende nuk janë realizuar.
Dy instrumente të reja financiare për fermerët
Ministri Salla shpjegoi se projektligji mbështetet në dy instrumente kryesore. I pari është dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të ardhshëm, ndërsa i dyti është dëftesa tregtare mbi produktin bujqësor të magazinuar. Në të dy rastet, produkti bujqësor mund të përdoret si garanci për sigurimin e financimit, duke krijuar një mekanizëm të ri kolaterali që mbulon të gjithë ciklin ekonomik të prodhimit, nga mbjellja deri te shitja e produktit.
Procesi do të kryhet përmes e-Albania
Një nga risitë kryesore të projektligjit është se i gjithë procesi do të zhvillohet në mënyrë elektronike përmes portalit e-Albania. Dëftesat tregtare do të regjistrohen në një regjistër elektronik të posaçëm dhe do të lidhen me regjistrin e barrëve siguruese, me qëllim shmangien e përdorimit të shumëfishtë të të njëjtit kolateral dhe rritjen e sigurisë juridike të transaksioneve.
Ministri theksoi se dëftesa tregtare do të ketë statusin e titullit ekzekutiv, duke garantuar që të drejtat dhe detyrimet e palëve të mbështeten në një mekanizëm të qartë ligjor. Sipas tij, kjo do të rrisë sigurinë e marrëdhënieve financiare dhe besimin si për fermerët, ashtu edhe për institucionet që ofrojnë financim.
Monitorim dhe siguri më e madhe për investimet
Projektligji parashikon gjithashtu mekanizma të qartë për monitorimin e kolateralit, përmbushjen e detyrimeve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, me synimin që instrumenti të funksionojë në mënyrë të sigurt dhe të balancuar për të gjitha palët. Sipas ministrit Salla, kjo nismë krijon një mjedis më të favorshëm për investimet në bujqësi, forcon besimin ndërmjet aktorëve të tregut dhe lehtëson financimin e një sektori që përballet me sfida të veçanta.
Përfitimet për sektorin bujqësor dhe ekonominë
Sipas ministrit, përfituesit e projektligjit janë fermerët, furnizuesit e inputeve bujqësore, grumbulluesit, përpunuesit dhe eksportuesit, të cilët do të zhvillojnë marrëdhënie kontraktore më të sigurta dhe më të strukturuara, duke ulur pasiguritë dhe duke rritur bashkëpunimin në të gjithë zinxhirin agro-ushqimor. Gjithashtu, përfitojnë institucionet financiare, pasi krijohet një instrument i qartë dhe i mbështetur në ligj që ofron më shumë garanci për financimin e sektorit bujqësor.
Ministri Salla theksoi se projektligji është në përputhje me objektivin për modernizimin e bujqësisë dhe afrimin e saj me praktikat më të mira evropiane. Sipas tij, në Bashkimin Evropian zhvillimi i sektorit mbështetet jo vetëm te subvencionet, por edhe te instrumentet financiare që rrisin besimin në treg dhe lehtësojnë investimet private. Ai shtoi se kjo nismë plotëson një hallkë që deri më sot ka munguar, duke krijuar një mekanizëm që forcon marrëdhëniet ekonomike, lehtëson financimin dhe rrit sigurinë për të gjithë aktorët që operojnë në bujqësi.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)